William Shakespeare

"Antoni dhe Kleopatra" 

Kushtuar Safetit dhe Xhelalit

 

AKTI IV

SKENA E DYMBËDHJETË

I njëjti vend. Një dhomë tjetër.

(Hyjnë ANTONI me EROSIN)

ANTONI

Më sheh akoma, Eros?

EROSI

Po, imzot.

ANTONI

Shpesh shohim ne një re porsi dragua,

Një mjegull si ari apo si luan,

Kështjellë-turrë, shkëmb i varur, mal 4

Me maja bigë, akull blu me drurë

Përsipër, që përkulen dhe gënjejnë

Me ajër sytë tanë. Shfaqj' e muzgut

Të mbrëmjes është. Ti e di?

EROSI

Po, zot. 8

ANTONI

Tani qe kalë, por sa hap-mbyll sytë

Në terr krejt tretet, zhduket por si ujët

Në ujë.

EROSI

Po, imzot.

ANTONI

Mëso, o Eros,

Skllavi im i mirë, bash një trup i tillë 12

U bë tani dhe kapiteni yt.

Antoni jam, por s'mund ta mbaj më formën

Që duket. Skllavi im, për mbretëreshën 15

Luftova, që kujtoja se në zemër

Më kish sikur e kisha. Një milion

Të tjerë pat' ajo me mua, që krejt

I humba. Me Cezarin i luajti kartat! 20

Lavdinë time dha për triumf të armikut.

Mos qaj, i dashur Eros! Prap' ka mbetur

Që vet' ta vrasim veten!

(Hyn Mardiani)

Zonja jote

E ligë më paska vjedhur shpatën!

MARDIANI

Jo,

Anton, se zonja ime ty të donte 24

Dhe fat' i saj me tëndin krejt qe shkrirë.

ANTONI

Shporru këtej, eunuk! Më tradhtoi

Dhe vdekja po e pret!

MARDIANI

Një borxh ne vdekjes

I kemi dhe ajo e lau. Ç'do t'deshe 28

Ta bëje ti, e bëri dor' e saj:

"Anton! Anton fisnik!" - ja fjalt' e saj

Të fundit. Mu në mes një psherëtimë

E ndau emrin tënd "Anton!". Në zemër 32

E buzë gjysmat ngecën, e dha shpirtin,

Që varr u bë për emrin tënd.

ANTONI

Vdiq?

MARDIANI

Vdiq!

ANTONI

Më hiq shpejt armët, Eros! Pun' e ditës

Së gjatë mori fund. Tani të flemë. 36

(MARDIANIT) Po të shpërblej bash si bujar, gjersa

I gjallë ik' këtej. Qërohu!

(Del MARDIANI) 

Shporru!

Mburoja shtatëfishe e Ajaksit

S'përmban të rrahurat e zemrës sime! 40

O brinjë, u çani! Zemër, bëhu trime,

Kafazn' e dobët e shkallmo! Shpejt, Eros!

Më s'jam ushtar. Hiqmi armët! Lart i mbajta!

Më lër tani!

(Del EROSI)

Të arrita, o Kleopatër, 44

Dhe falje do t'të lyp me lot' ndër sy!

Kështu do bërë. Zgjatja më mundon.

Kur flaka shuhet, shtrihu dhe mos luaj!

Përpjekjet janë kot. Vetveten forca lidh 48

Me forcë. Vula veç mungon, gjithçka

Mbaroi! Ecë, Eros! Pritmë, mbretëreshë!

Ja ku po vij! Atje, ku shpirtra flenë

Mes lulesh, vemi dor'përdore. Hijet 52

Do t'shohin me zili. Didona

Dhe Eneu s'do t'kenë shokë. Gjithë hijet

Pas nesh do t'vijnë. Eja, Eros! Eja!

(Hyn përsëri EROSI)

EROSI

Ç'më do, imzot?

ANTONI

Gjersa Kleopatra vdiq 56

I çndershëm kam jetuar, aq sa hyjnitë

M'përbuzin. Unë, që me shpatë botën

Përshkova dhe mbi shpinën blu të detit

Qytete ngrita prej anijesh, s'paskam 60

Kurajon e një femre! Pati zemër

Më trime gjersa "Vetë e munda veten!"

I tha Cezarit. Je betuar, Eros,

Se tmerr e turp kur të më ndjekin pas,

Do të më vrasësh sa të jap një urdhër. 65

Dhe çasti erdhi. Ti po mund Cezarin,

S'po më godet mua! Pse u zbehe, mik?

Kurajo!

EROSI

Perënditë mos më lënçin!

Të bëj atë që shtizat e parthjanëve,

Sado armike, s'mundën dot ta bënin?

ANTONI

Do t'deshe, Eros, t'ishe ti në Romë

Dhe nga dritarja zotin tënd ta shihje 72

Me duart lidhur e me kular në qafë,

Me faqet kuq nga turpi përvëlues,

Pas karros së Cezarit të hareshëm,

Që robërit pas saj shurdhon me zhurmë? 76

EROSI

S'do t'mund ta shihja!

ANTONI

Eja, se një plagë

Mua më shëron. Nxirr shpatën e nderuar,

Që kaq dobi i solli mëmëdheut.

EROSI

Imzot, më fal!

ANTONI

Atëherë kur të dhashë 80

Liri, a s'm'u betove të më vrisje

Kurdo që të të thoshja? Bëje shpejt,

Përndryshe çdo shërbim që më ke sjellë

Ka qenë krejt pa dashur. Nxirre! Eja! 84

EROSI

Veç ktheje pak fytyrën aq fisnike,

Që bota mbarë e admiron!

ANTONI

E ktheva! (Kthen kokën anash)

EROSI

E nxora shpatën.

ANTONI

Le të bëjë shpejt

Atë gjë për të cilën ti e nxore. 88

EROSI

Imzot i shtrenjtë, kapiteni dhe

Imperatori im, më lër të t'them,

Goditjen e përgjaktë pa e dhënë,

Lamtumirë!

ANTONI

E the, trim, Lamtumirë! 92

EROSI

O prijës, lamtumirë! Të t'godit

Tani!

ANTONI

Po, Eros!

EROSI

Mirë. Nuk do t'vuaj

Për vdekjen e Antonit! (Vret veten)

ANTONI

Më fisnik

Tri herë sesa unë! Më mësove, 96

O Eros trim, se ç'duhej vet' të bëja,

Që ti s'e bëje dot. Ti, mbretëreshë,

Ti, Eros, shembull trimërie më dhatë.

Ju jeni më fisnikë. Unë dhëndër 100

Do t'jem i vdekjes sime dhe do t'rend

Drejt saj si në krevat të nuses. Eros,

Yt zot po vdes bash si një nxënësi yt!

Të vdes kështu

(Bie mbi shpatën e vet)

nga ti mësova. Si? 104

S'kam vdekur? Roje! Roje! Hej, më vrit!

(Hyjnë DERCETA dhe rojet)

ROJA I PARË

Kjo zhurmë ç'është?

ANTONI

E bëra punën keq! O miq, mbaroni

Ç'fillova vetë!

ROJA I DYTË

Ylli paska rënë!

ROJA I PARË

Erdh' fund i kohës...

TË GJITHË

Mjerë ne!

ANTONI

T'më vrasë 108

Ai që më do!

ROJA I PARË

Jo unë!

ROJA I DYTË

Jo, as unë!

ROJA I TRETË

Asnjëri!

(Dalin rojet)

DERCETA

Vdekja shtyn ithtarët t'ikin

Prej teje. Por kjo shpatë, që Cezarit

Ia çoj me lajm tok, hir më siguron 112

Tek ai!

(Hyn DIOMEDI)

DIOMEDI

Ku është Mark Antoni?

DERCETA

Ja!

DIOMEDI

I gjallë është? Pse s'përgjigjesh, trim?

(Del DERCETA)

ANTONI

Këtu je ti, Diomed? Pa nxirre shpatën

Dhe më godit të vdes.

DIOMEDI

Imzot i madh! 116

Më çoi tek ti Kleopatra, zonja ime!

ANTONI

Po kur të çoi?

DIOMEDI

Tani, imzot.

ANTONI

Ku është?

DIOMEDI

U kyç në monument. Kish parandjenjë

Të keqe për atë që ndodhi, se 120

Kur pa dyshimin tënd, pa baza krejt,

Sikur ish lidhur me Cezarin dhe

Inatin tënd që s'ikën leht', çoi fjalë

Se vdiq. Por pati frikë për pasojat 124

Dhe të vërtetën më dërgoi të shpall.

Druaj, erdha tepër vonë!

ANTONI

Tepër vonë!

Diomed i mirë! Thirr, të lutem, rojet!

DIOMEDI

Hej! Roj' e perandorit! Roje, them! 128

Këtu shpejt eni!

(Hyjnë katër a pesë roje të ANTONIT)

ANTONI

Miq të mirë, shpjermëni

Ku tha Kleopatra! Është ky shërbimi

I fundit që po ju kërkoj!

ROJA I PARË

Medet!

Të mjerët ne, imzot! Mbi dhe të gjallë

Ithtart' e tu besnikë po i le! 133

TË GJITHË

O ditë e zezë!

ANTONI

Miqtë e mi, ju fatin

Mizor me brengën tuaj mos e gëzoni!

Atë që na dënon ta mirëpresim,

Bash e ndëshkojmë kur sheh që durojmë 137

Kaq lehtë. Ngrimëni. Shpesh ju kam prirë.

Tani më shpini, miq të mirë! Unë

Ju falemnderit për të gjitha! 140

(Dalin, duke bartur ANTONIN)

 

Back to top

 


William Shakespeare – "Antoni dhe Kleopatra" – Shqipëroi Çezar Kurti.

Copyright©1990 by Translator.